Grimcat e orkides

Po vija në maj, siç të kisha premtuar se do të vija çdo tri javë.
Ajo që më mbante në biseda në momentet e tua të fundit ishte Krista, si një paralajmërim që do të ishe gjithmonë me mua.

Gjatë atyre momenteve të fundit kisha të njëjtën fuqi dhe veprim që të kam parë tek ty këto 20 vite. As nuk e kisha menduar çfarë mund të ndodhte dhe ndërkohë dija çdo moment. Atë që kisha parë nga jashtë tek ty tani ti ma kishe dhënë të gjithën. Çdo moment në biseda apo veprim ti më jepje esencën e të qenurit dhe gjëra që s’mund t’i pyesje tjetër njeriut në vazhdim ti mi shpjegoje me veprim.

Më ruajte nga ai moment si të më njihje në përjetësi. Dikur ne të dy do të kemi qenë vëllezër, prapëseprapë unë do të mbetem gjithmonë biri yt shpirtëror.

Flisje gjithmonë për veprimin të cilin ma dhe si dhuratë. Në ato dy orë në avion u njoha me një bir nga Finlanda i cili më dëgjonte me kënaqësi sikur të ishim shokë ose njohur ndër shekuj. Edhe pse nuk njiheshim, veprimet e brendshme që ti gjithmonë më shpjegoje vepronin. Edhe vetë ndihma e cila erdhi më vonë ishte e njëjta lëvizje ndihme që ti aplikoje për cilindo, duke harruar veten tënde në përjetësi.

Këto muaj të fundit u mundoja t’u shpjegoja familjarëve një nga gjërat që nuk e kishim shtjelluar thellësisht bashkë; edhe pse e paraqisja shkoqur, shikoja që ishin thjesht fjali dhe nuk funksiononte veprimi. Për çudi, një ditë para ti ma zgjidhe mua këtë nyje duke ua treguar edhe të tjerëve që unë kisha të drejtë.

Siç ma pohoje edhe disa muaj para se të largoheshe, ti më kishe zgjidhur dhe dhënë mua të gjitha gjërat. Tani që i rikthej në mendje, isha unë që ende nuk e besoja. Jo se po më mungonin për shkak të veprimit, por dëshpërimi im ishte më shumë se mos nuk merrja unë atë që desha, sesa tek ajo që unë kisha mësuar gjithmonë nga ty për të qenë prezent.

Më kujtohet kur më shpjegoje konstelacionet e brendshme të njeriut, mosekzistencën e Rrugës së Qumështit në personalitetin tonë dhe krijimin e një biçim realiteti i cili buron nga shkurret e pakositura të gjendjes mosvepruese përsëritëse e cila ciçëron tek poezia jote “Detari i orkideve” me përfundimin deterministik ose siç do ta quaja unë me binomin detyrim-përcaktim si në lojën e damës:
Çdo gjë është e thjeshtë e në vendin e vet,
rrënimi yt vjen sepse ti s’ke frikë nga gjëma jote e triumfi yt.

Asgjë nuk mund të ketë një përfundim si kur më tregoje për përgatitjen që duhet të kisha pasur unë, por që ende nuk më kishte ardhur në ndërgjegje, po ashtu gjatë përjetësive të cilat do të më kujtoheshin vetvetiu në kohë. Tani “Çdo gjë është e thjeshtë e në vendin e vet”, dhe si e tillë, dhe si pjesëmarrës i kësaj, ke të drejtën të krijosh dhe të ecësh në këtë pafundësi. E thënë më thjesht, nëse je nga kjo anë dhe duke qenë “në brendësi të sendeve”, ti ke të drejtën të quhesh me emrin tënd të vërtet Joan dhe i pavdekshëm!